ru24.pro
World News in Albanian
Январь
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30
31

Trump thotë se Microsoft-i është në bisedime për blerjen e TikTok-ut

0
Presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se kompania Microsoft është në bisedime për blerjen e TikTok-ut, duke shtuar se do të dëshironte të shihte një betejë ofertash për këtë aplikacion.


Kompania e teknologjisë, Microsoft, nuk ka komentuar për këtë pohim të Trumpit. As TikTok-u e as ByteDance, që ka në pronësi aplikacionin, nuk kanë komentuar po ashtu.


TikTok, që ka afër 170 milionë përdorues amerikanë, përkohësisht u ndalua para se ligji që i kërkon pronarit kinez, ByteDance, ta shiste ose do të ndalohej në Shtetet e Bashkuara, të hynte në fuqi më 19 janar.


Pasi mori mandatin e presidentit më 20 janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke kërkuar shtyrjen për 75 ditë të zbatimit të ligjit, i cili thirret në shqetësimet për sigurinë kombëtare.




Trump tha javën e kaluar se ai ishte duke biseduar me disa njerëz lidhur me blerjen e TikTok-ut dhe do të dëshironte që vendimi për të ardhmen e aplikacionit popullor të merrej brenda 30 ditësh.


Presidenti amerikan më herët ka thënë se është i hapur që miliarderi Elon Musk ta blejë aplikacionin, nëse pronari i Tesla-s dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Musk publikisht nuk e ka bërë ndonjë koment lidhur me këtë deklaratë të presidentit Trump.


Kjo është hera e dytë që emri i Microsoft-it lidhet me blerjen e mundshme të TikTok-ut.


Gjatë mandatit të parë si president, Trump kishte kërkuar që TikTok-u të ndante versionin për SHBA-në nga ByteDance, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë kombëtare.


Më 2020, Microsoft ishte ofertuesi kryesor, por bisedimet për blerjen e aplikacionit dështuan.