ru24.pro
World News
Январь
2021

Shefi i USAGM-it raportohet se ka dhënë dorëheqje me kërkesë të Bidenit

0
Mediat amerikane raportojnë se kreu i agjencisë që mbikëqyr transmetuesit ndërkombëtarë amerikanë, përfshirë Radion Evropa e Lirë, ka dhënë dorëheqje, me kërkesë të presidentit Joe Biden.


Radio Publike Kombëtare e SHBA-së, Washington Post dhe Washington Examiner shkruajnë në Twitter se Michael Pack ka dorëzuar letrën e tij të dorëheqjes nga posti i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM).


Në faqen e USAGM-it nuk ka ende asnjë njoftim për dorëheqjen e tij.


Por, Byron York, nga Washington Examiner, ka shpërndarë në Twitter tekstin e letrës së supozuar të dorëheqjes nga Pack.


Në të, Pack, i emëruar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, citon kërkesën “dëshpëruese” të administratës së re për dorëheqjen e tij.


“Është dëshpëruese kërkesa për dorëheqjen time. Kjo, për kohë të gjatë, do të shihet si akt partiak, që ka dëmtuar zyrën e krijuar për t'i shërbyer popullit amerikan dhe interesit kombëtar”, thuhet në letër.


Mandati i USAGM-it është të promovojë lajme të paanshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë jashtë SHBA-së.


Por, mandati i Packut ka nxitur akuza - edhe nga ish-shefat e Radios Evropa e Lirë, redaktorët dhe drejtorët e shërbimeve të saj - se ai ka braktisur traditat dypartiake dhe ka bërë përpjekje të forcojë ndikimin e një partie mbi transmetuesit.




Biden dhe ekipi i tij i tranzicionit - i udhëhequr nga Richard Stengel - janë zotuar se do t’i rishikojnë plotësisht veprimet e Packut dhe kanë lënë të kuptohet se ai mund të zëvendësohet.


Drejtorja e Programit të Zërit të Amerikës, Kelu Chao, është emëruar ushtruese e detyrës së drejtores ekzekutive të Agjencisë Amerikane për Media Globale.