Trump kërcënon me sulme shtesë në Harg, teksa Irani godet infrastrukturën energjetike të vendeve të Gjirit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se, edhe pse një pjesë e madhe e ishullit strategjik iranian Harg u shkatërrua nga bombardimet amerikane, ai mund të urdhërojë sulme të tjera ndaj tij. Ndërkohë, shtetet arabe, aleate të SHBA-së në rajon, raportuan për ndërprerje në industrinë e tyre të naftës për shkak të sulmeve hakmarrëse iraniane.
Trump i tha NBC News-it më 14 mars se sulmet amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” pjesën më të madhe të ishullit Harg - i cili ndodhet rreth disa dhjetëra kilometra larg territorit tokësor të Iranit - por shtoi se “mund ta godasim edhe disa herë të tjera thjesht për qejf”.
Menjëherë pas sulmit, Trump tha se forcat amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” objektivat ushtarake iraniane në ishull, por nuk e kishin prekur infrastrukturën e naftës.
Pse ishulli Harg është kyç për eksportet e naftës së Iranit?
Megjithatë, ai kërcënoi se do t’i godasë edhe ato objekte nëse Irani ndërpret trafikun në Ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët iranianë pretenduan se eksportet e naftës bruto vazhdojnë pa ndërprerje nga terminali i Ishullit Harg, pas asaj që Trump e përshkroi si “një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme”.
Sulmi ndaj Ishullit Harg shënoi një zhvillim të madh në konfliktin që filloi më 28 shkurt pas sulmeve në shkallë të gjerë të SHBA-së dhe Izraelit kundër objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane.
Ishulli Harg është pika kryesore e eksportit të naftës së Iranit dhe shërben si terminal për rreth 90 për qind të eksporteve të tij të naftës.
Ai ndodhet rreth 24 kilometra larg bregdetit iranian dhe rreth 480 kilometra në veri të Ngushticës së Hormuzit.
Trump “i habitur”, por jo i gatshëm për marrëveshjeTrump i tha NBC-së se është “i habitur” që Teherani vendosi t’i sulmojë vende e tjera të Lindjes së Mesme si hakmarrje për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Ai gjithashtu pretendoi se Teherani po kërkon të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, por kushtet që ofron Irani nuk përputhen me kërkesat e tij.
“Irani dëshiron të bëjë marrëveshje por unë nuk dua ta bëj, sepse kushtet nuk janë ende mjaftueshëm të mira”, tha ai.
Ai nuk tregoi se cilat kushte kërkon, por shtoi se ato duhet të jenë “shumë të forta” dhe duhet të përfshijnë një zotim që Teherani të heqë dorë nga çdo ambicie bërthamore.
Frika për rritjen e çmimeveTrump minimizoi shqetësimet e konsumatorëve për koston e energjisë.
“Mendoj se çmimet do të bien edhe më shumë se më parë, dhe unë i parashikova në nivele rekord të ulëta”, tha Trump për çmimet e karburanteve, duke shtuar se ato do të bien shpejt pasi të përfundojë lufta në Iran.
Irani është zotuar ta mbajë të mbyllur ngushticën dhe ka thënë se çmimet e naftës mund të arrijnë në 200 dollarë për fuçi, rreth dyfishin e çmimeve të tanishme, që tashmë janë shumë të larta.
Pasi kishte thënë një ditë më parë se marina amerikane së shpejti do të fillonte të shoqëronte anijet nëpër ngushticë, Trump u duk se u tërhoq nga ajo deklaratë.
“Nuk dua t’ju them asgjë për këtë”, tha ai në intervistë, por shtoi se “është e mundur”.
Në një postim më herët në rrjetet sociale, Trump tha: “Vendet e botës që marrin naftë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë ngushticë dhe ne do t’iu ndihmojmë shumë!”
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të koordinohen me ato vende që gjithçka të shkojë mirë, shpejt dhe pa probleme”, shtoi ai.
Goditen edhe aleatët rajonalë të SHBA-sëAleatët rajonalë të Shteteve të Bashkuara raportuan gjithashtu sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës, duke rritur edhe më shumë frikën për ndërprerje të mëdha në furnizimin botëror me energji.
Autoritetet në rajonin gjysmautonom të Kurdistanit në Irak thanë se operacionet në rafinerinë Lanaz në qytetin Irbil mbetën të pezulluara në orët e para të 15 marsit, megjithëse zjarri që shpërtheu pas një sulmi me dron u vu nën kontroll.
Irani do të shënjestrojë objektet e kompanive amerikane në rajon nëse objektet e tij energjetike sulmohen, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, nga televizioni shtetëror, pas sulmeve amerikane në ishullin Harg.
Irani duket se e zbrazi zemërimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke pretenduar se sulmi ndaj ishullit Harg nga forcat amerikane kishte origjinën nga Emiratet.
Një zëdhënës ushtarak iranian paralajmëroi njerëzit në Emiratet e Bashkuara Arabe që të largohen nga portet, doket dhe “strehimoret amerikane”.
Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe mohuan se ushtria amerikane e kishte nisur sulmin nga bazat në vend, por thanë se gëzojnë të drejtën për të ndërmarrë veprime mbrojtëse.
