ru24.pro
World News in Albanian
Февраль
2026
1 2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28

A mund të izolohet Lista Serbe nga Vetëvendosja?

0
Përpjekjet për ta margjinalizuar Listën Serbe janë më shumë sinjale politike për opinionin e brendshëm, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë bazë ligjore - qoftë politike apo diskrecionale - për ta eliminuar këtë parti, e cila është më e madhja e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit.
Të shtunën, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër konfirmimit të rezultateve përfundimtare zgjedhore për Listën Serbe.
Nga Ambasada amerikane në Prishtinë i thanë Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve që të zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Vendimi i KQZ-së nxiti reagimin edhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila kërkoi respektimin e standardeve ndërkombëtare zgjedhore dhe publikimin transparent të rezultateve.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila i fitoi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, edhe më herët kishte tentuar ta pengonte Listën Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kishte rrëzuar vazhdimisht këto vendime.
Kësaj radhe, Lista Serbe u ankua sërish ndaj vendimit të KQZ-së, të cilin e përshkroi si “të turpshëm, diskriminues dhe të paligjshëm”.


Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se me këto veprime, Vetëvendosja i dërgon mesazh komunitetit serb, i cili ka votuar kryesisht për Listën Serbe, se nuk është i rëndësishëm dhe se votat e tij nuk merren parasysh.
“Kjo është përçarëse për marrëdhëniet në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende janë të rezervuara për komunitetin serb. Lista Serbe, me mbi 42 mijë vota, fitoi nëntë, ndërsa një e siguroi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit”.
Si një nga arsyet përse nuk dëshiron bashkëpunim me të, përmend faktin se ajo nuk është distancuar kurrë nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Vetëvendosja shprehet e hapur për bashkëpunim me Rashiqin dhe këmbëngul që pozitat në Qeverinë apo Kuvendin e Kosovës, të cilat me Kushtetutë u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb, t’i jepen pikërisht partisë së tij.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi javën e kaluar se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, që në këtë rast është Lista Serbe.
Kë e dëmtojnë përpjekjet për eliminimin e Listës Serbe?Gogiq vlerëson se përpjekjet për ta eliminuar Listën Serbe nga skena politike, nuk i dëmtojnë vetëm serbët e Kosovës, por gjithë vendin, pasi, siç thotë, rrezikojnë të shkaktojnë bllokadë institucionale.
“Kosova mund t’i humbasë edhe afatet për konstituimin e Kuvendit nëse Vetëvendosja inatoset me Listën Serbe. Po humbet kohë dhe nuk po arrihet asgjë, sepse eliminimi i Listës Serbe nuk është i mundur”, thotë ai.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, Kosova u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike, pasi partitë shqiptare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Më pas, bllokada vazhdoi edhe për shkak të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi Vetëvendosja refuzoi t’i votonte kandidatët e Listës Serbe.
Se Lista Serbe nuk mund të eliminohet, e thotë edhe Abrashi nga organizata Demokraci Plus.
Sipas tij, partitë politike mund të përjashtohen nga procesi zgjedhor vetëm nëse nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara ligjore, ose nëse shpallen të paligjshme nga organet kompetente gjyqësore apo të sigurisë.
“Pa një vendim të tillë - përfshirë shpalljen si organizatë terroriste apo si subjekt tjetër i paligjshëm - nuk ka bazë ligjore për përjashtimin e Listës Serbe vetëm për arsye politike ose diskrecionale”, thotë Abrashi.
Ai shton se roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është administrativ dhe procedural, e jo politik, dhe se çdo veprim jashtë mandatit të përcaktuar qartë, i nënshtrohet shqyrtimit.
“Sundimi i ligjit, siguria juridike dhe trajtimi i barabartë i të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje mbeten thelbësore për ruajtjen e kredibilitetit të procesit zgjedhor dhe besimit në institucione”, thekson Abrashi.
A mund të vazhdojë Lëvizja Vetëvendosje ta injorojë Listën Serbe?Gogiq vlerëson se hendeku mes Listës Serbe dhe Vetëvendosjes po thellohet, por shton se bashkëpunimi mes tyre është i domosdoshëm për formimin e institucioneve të reja.
Në këtë kontekst, ai kujton vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në favor të Listës Serbe, sipas të cilave Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, ndërsa kandidatin për këtë post mund ta propozojë vetëm partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti.
“Do të ishte e rëndësishme që Vetëvendosja të bënte kompromis me Listën Serbe, e cila, për shembull, mund të sigurojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit. Sistemi në Kosovë kërkon pjesëmarrjen e komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”, thotë Gogiq, duke paralajmëruar se Vetëvendosja mund t’i shkaktojë dëm gjithë Kosovës nëse vazhdon ta injorojë Listën Serbe.
Përndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se mosmarrëveshjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhen kryesisht me Serbinë dhe strukturat e saj.
Sipas tij, SHBA-ja e konsideron qëndrimin e tij ndaj Serbisë si shumë rigoroz.
Në shtator të vitit 2025, SHBA-ja ka pezulluar përkohësisht Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
Përpjekjet për ta eliminuar Listën Serbe nga procesi zgjedhor kanë nxitur reagime edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga ambasadat e vendeve perëndimore, të cilat kanë kërkuar që komuniteteve pakicë t’u garantohet pjesëmarrje e barabartë në proceset politike.
Përgatiti: Valona Tela