Protestuesit përleshen me Policinë gjatë protestës antiqeveritare në Tiranë
Një protestë e opozitës kundër Qeverisë së Shqipërisë është përshkallëzuar në përleshje mes protestuesve dhe oficerëve të Policisë, duke lënë dhjetëra të lënduar nga të dyja palët të shtunën mbrëma në kryeqytetin Tiranë, raportuan autoritetet.
Protestuesit, të thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, u mblodhën para Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, duke brohoritur kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ai u kishte bërë thirrje protestuesve të mblidheshin “për t’ia bërë gjyqin Ramës”.
Berisha kërkon rrëzimin e Qeverisë së Ramës, duke e akuzuar për korrupsion, pasi në fund të vitit të kaluar autoritetet filluan hetime mbi dyshimet për korrupsion kundër zëvendëskryeministres, Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë.
Protestuesit u mblodhën për disa orë pranë ndërtesës së Qeverisë të shtunën, ku hodhën gjësende të forta dhe koktej molotovi në drejtim të oficerëve policorë.
Policia iu përgjigj atyre me topa uji, në përpjekje për t’i shpërndarë, por protestuesit u zhvendosën afër ndërtesës së Kuvendit. Pas rreth tri orëve, protestuesit u shpërndanë.
Policia e Shtetit njoftoi se 11 oficerë u lënduan dhe po marrin ndihmë mjekësore. Autoritetet nuk treguan për të lënduar në mesin e protestuesve, por televizioni shtetëror RTSH dhe media tjera në vend thanë se kishte demonstrues të lënduar.
“Me gjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi”, tha Policia në një njoftim pas protestës.
Ajo bëri të ditur se i ka arrestuar 23 persona, përfshirë ndalimin e një të mitur gabimisht.
“Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij”, thuhet në njoftim.
Paraprakisht, Berisha e kishte publikuar një video në Facebook nga siç tha “arrestimi i të miturit që po dilte nga xhamia ku kishte falur namaz”, duke e akuzuar shtetin për “dhunë ndaj fëmijëve”.
Policia shtoi se ka nisur hetimet për dhunën në protestë.
“Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre”, njoftoi ajo.
Berisha tha se “Edi Rama kërkonte përleshjen e policisë, e demonstruesve me policinë”.
“E garantoj që demonstruesit do të përleshen me Edi Ramën. Dhe i them këtu, mos ndërse policinë kundër protestuesve”, tha Berisha pas protestës.
Ai paralajmëroi se “këtë betejë do ta vazhdojmë, sepse ne kemi një mision dhe vetëm një mision, përmbysjen e këtij regjimi kriminal, e këtij narkoregjimi, e këtij armiku të shqiptarëve dhe të Shqipërisë”.
Kjo është protesta e dytë e opozitës kundër Qeverisë së Ramës në muajt e fundit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë kundër ministres së Ramës, Balluku, tetorin e kaluar dhe i ka kërkuar Kuvendit t’ia heqë imunitetin asaj dhe ta autorizojë arrestimin e saj.
Balluku, e cila njëherësh është edhe deputete dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së tenderëve.
Balluku i ka mohuar akuzat si “hedhje balte, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, dhe tha se do të bashkëpunonte plotësisht me drejtësinë.
Ajo ishte pezulluar nga detyrat zyrtare dhe i ishte pamundësuar largimi nga shteti, por vendimi i SPAK-ut për pezullim u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Rama tha se pas vendimit të Kushtetueses, tani SPAK-u po kërkon autorizim për arrestimin e Ballukut, qoftë për ta dërguar në burg apo në arrest shtëpiak.
Ai tha se “arrestet pa gjyq” janë bërë “modë e vrazhdë në Shqipëri”, por shtoi se nuk mund ta paragjykojë kërkesën në fjalë.
