ru24.pro
World News in Albanian
Октябрь
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Një zyrtar i BDI-së plagoset në Kumanovë

0

Një person është plagosur pasditen e 7 tetorit në një rrugë prapa ndërtesës së Komunës së Kumanovës, pasi me armë zjarri u qëllua drejt një makinë që ishte në lëvizje. I plagosuri është kandidat dhe bartës i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Likovë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

I plagosuri është identifikuar si Z.Sh., 43 vjeç, nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës dhe është dërguar për trajtim në spitalin e Kumanovës, bëri të ditur Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.

Televizioni Telma raportoi se personi i plagosur është punonjës në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup.

Zyra e Prokurorisë Publike tha se sipas indikacioneve të para ngjarja nuk duket se ka motive politike, por shtoi se po hetohen të gjitha rrethanat.

“Dy prokurorë nga Zyra e Prokurorisë Themelore të Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet. Gjurmët dhe të provat materiale po grumbullohen dhe më pas do të ekzaminohen. Një person është ndaluar lidhur me të shtënat, ndërkaq në kërkim është sulmuesi”, tha Zyra e Prokurorisë Publike.

BDI-ja njoftoi se, në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për shkak të seriozitetit të kësaj ngjarjeje, partia ka pezulluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për sot.

Kjo parti shqiptare kërkoi që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për të rikthyer besimin e publikut dhe sigurisë në terren.

“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati”, tha BE-ja përmes një njoftimi.

Ky subjekt politik u bëri thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe “të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë”.

Incidenti dënohet edhe nga partitë e tjeraKoalicioni Vredi ka dënuar dhunën në Kumanovë, duke bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.

“Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë veprime që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Apelojmë tek organet hetimore që sa më shpejt të zbulojnë motivet dhe kryesit e këtij akti dhe bëjmë thirrje që raste të tilla të mos keqpërdoren për qëllime politike”, tha ky koalicion.

Ndërkaq, Bashkimi Socialdemokrat i Maqedonisë (SDSM) kërkoi përgjegjësi politike nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për shkak të “kolapsit të dukshëm sistemik të sigurisë publike dhe parandalimit të pamjaftueshëm të incidenteve të dhunshme”.

“Incidenti i fundit me armë në Kumanovë është rasti më serioz para zgjedhjeve lokale, i cili shkakton shqetësim të madh për rendin dhe qetësinë publike dhe sigurinë e qytetarëve. Po ndodh një kolaps total i sistemit të sigurisë dhe një dështim i ministrit Pançe Toshkovski”, tha SDSM.

Nga kjo parti kërkuan që institucionet kompetente të hetojnë menjëherë rastin dhe të informojnë publikun për këtë ngjarje.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se incidenti ndodhi në orën 13:54, kur autoritetet morën informatën se në kryqëzimin e rrugës Dimitrije Tuçoviq dhe Oktomvri 11 në Kumanovë, dy persona që ishin në lëvizje qëlluan drejt një makine pasagjerësh, që po drejtohej nga Z.Sh.

“Ai është plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin në Kumanovë”, tha ministria.

Autoritetet thanë se policia ka dalë në vendin ku ndodhi ngjarja, që përveç ndërtesës së komunës, gjenden edhe zyra të gjykatës, postës dhe policisë.

Ndërkaq, drejtori i spitalit të Kumanovës, Sasho Stoshevski, konfirmoi për agjencinë MIA se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

“Personi është pranuar me katër plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në parakrahun e majtë dhe gjurin e djathtë. I kemi kryer të gjitha ekzaminimet. Pacienti është jashtë rrezikut për jetë. Ai është transportuar në spitalin e Shkupit”, tha Stoshevski.

Ngjarja ndodhi dy javë para se Maqedonia e Veriut të mbajë zgjedhjet lokale. Për zgjedhjet e 19 tetorit, partitë janë duke zhvilluar fushatë 20-ditore.