ru24.pro
World News in Albanian
Март
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Personi i përfshirë në rastin e vëllezërve Bytyqi shihet në mesin e protestuesve në Beograd

0

Ish-komandanti i Xhandarmërisë të Serbisë, Goran Radosavleviq-Guri, ishte të martën në mesin e dhjetëra burrave me uniforma ushtarake, me simbole të njësisë së shpërbërë për operacione speciale, të cilët u panë në parkun ku ishin mbledhur studentët që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve në Serbi.

Personat me uniforma nuk pranuan të shpjegojnë për Radion Evropa e Lirë arsyet e pranisë së tyre në kampin ku gjendet një grup personat që e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”, të cilët po protestojnë për të pestën ditë me radhë në parkun në qendër të Beogradit, që gjendet mes ndërtesës së Parlamentit dhe Presidencës të Serbisë

Personat e uniformuar u udhëhoqën nga Radosavleviq dhe Zhivorad Zhika Ivanoviq, ish-pjesëtar i Njësisë për Operacione Speciale (JSO).

Radosavleviq, kolonel policie në pension, është lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, për çka Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Agron, Mehmet dhe Ilir Bytyqi, shtetas amerikanë që luftuan si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë, u arrestuan pas përfundimit të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 në kufirin me Kosovën, për shkak të kalimit ilegal në Serbi.

Pas vuajtjes së një dënimi me 15 ditësh burgim, ata u liruan nga burgu, por policia serbe i çoi në bazën e Njësive Speciale Kundër Terrorizmit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Petrovo Sello, e cila ishte nën komandën e Goran Radosavleviqit- Gurit.

Trupat e tyre, me duart e lidhura dhe plagë nga plumbat në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, së bashku me trupa të tjerë të shqiptarëve të Kosovës.

Radosavleviq e ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Njësia për Operacione Speciale ishte krijuar nga njësia famëkeqe "Beretat e Kuqe", anëtarët e së cilës, sipas një vendimi të formës së prerë të një gjykate, kanë kryer krime gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Po ashtu, kjo njësi mori pjesë në luftën e Kosovës në vitet 1998-1999, kur për komandant të saj u emërua Millorad Ulemek Legija.

JSO ishte e lidhur me organizatën kriminale "Klanin e Zemunit", ndërsa anëtarët e saj morën pjesë në vrasjen e kundërshtarëve politikë të presidentit autokratik, Sllobodan Millosheviq.

Ulemek u dënua në fillim të viteve 2000 me 40 vjet burgim për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq. Në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit morën pjesë, përveç pjesëtarëve të JSO-së, edhe anëtarët e kartelit kriminal "Klanit të Zemunit", me të cilin Ulemek kishte krijuar lidhje në fund të viteve '90.