ru24.pro
World News in Albanian
Март
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ndalon zbatimin e ligjeve jokushtetuese në RS

0
Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës më 7 mars vendosi masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska, që ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.


Anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës, Denis Zvizdiq, dhe anëtari i kolegjumit të Dhomës së Popullit, Kemal Ademoviq, dërguan më 6 mars apelime lidhur me ligjet jokushtetuese që më herët i kishte nënshkruar Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska (RS).


Gjykata, Prokuroria e Bosnjës dhe SIPA janë formuar në bazë të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Bosnje dhe Hercegovinës dhe ato ligje janë konfirmuar nga Dhoma shtetërore e Popullit. Për t’u zhbërë, sipas Kushtetutës së shtetit, duhet që votimi i Kuvendit të Bosnje e Hercegovinës.




Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi ligjet më 27 shkurt, pasi Gjykata e Bosnjës e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe gjashtë vjet të ndalimit të ushtrimit të funksionit të presidentit të RS-së.


Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës njoftoi se që nga dhjetori i vitit 2024, po zhvillon një hetim për shkak të dyshimeve se është kryer vepra penale “sulm ndaj rendit kushtetues”.


Kodi Penal i Bosnjës parashikon dënime deri në pesë vjet burgim dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare nëse dikush "përpiqet në mënyrë të kundërligjshme të ndryshojë rendin kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës ose të përmbysë institucionet e saj më të larta”.


Dodik është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, dhe nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt paraprakisht i kishte shpallur të pavlefshme, ligje që synonin të parandalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.




Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi masë të përkohshme për moszbatimin e Ligjit për regjistrin e veçantë dhe transparencën e punës të organizatave jofitimprurëse.


Ky ligj, i miratuar nga Kuvendi i RS-së, në përputhje me ligjin rus, vendos kontroll të rreptë mbi veprimtarinë e sektorit civil në RS.