ru24.pro
World News in Albanian
Февраль
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19
20
21
22
23
24
25
26
27
28

Mbijetojnë të gjithë personat që ishin në aeroplanin e përplasur në Toronto

0
Të gjithë pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit në aeroplanin e përplasur, dhe më pas rrokullisur gjatë aterimit në Aeroportin Pearson të Torontos në Kanada, kanë shpëtuar, sipas shefes ekzekutive të aeroportit, Deborah Flint.


“Jemi të lumtur që nuk ka pasur humbje jete, por vetëm plagë relativisht të lehta”, ka thënë ajo.


Një fëmijë dhe dy të rritur janë plagosur më rëndë gjatë përplasjes, sipas shërbimeve të emergjencës, ndërsa 18 persona janë dërguar në spital.


Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë sesi aeroplani është rrokullisur pasi ka tentuar të aterojë në teren me borë dhe frymë të madhe.


Duket se i mungon të paktën njëri prej krahëve.


Aeroporti Pearson ka thënë se aeroplani është i kompanisë amerikane Delta, dhe është nisur prej Mineapolisit. Në të kanë qenë 80 persona, 76 pasagjerë dhe katër anëtarë te ekuipazhit.


Aeroporti është mbyllur pas incidentit, mirëpo fluturimet janë kthyer ndërkohë, sipas autoriteteve.


Bordi për Siguri të Transportit të Kanadasë ka thënë se ka angazhuar një ekip për të kuptuar se si ka ndodhur saktësisht rasti.


Dy pista do të jenë të mbyllura për disa ditë për hetime dhe pasagjerëve u është thënë se mund të përballen me vonesa.


Incidenti në Kanada ka ndodhur pak kohë pas disa incidenteve të ngjashme në Amerikën e Veriut në fund të janarit.


Një helikopter ushtarak është përplasur me një aeroplan pasagjerësh në Uashington, duke vrarë 67 persona, ndërsa të paktën shtatë të tjerë kanë vdekur pas rrëzimit të një aeroplani transportues në Filadelfia.