ru24.pro
World News in Albanian
Февраль
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28

Çitaku: PDK-ja s’bën koalicion me VV-në, preferon koalicion me opozitën

0
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se PDK-ja është e gatshme për një koalicion me parti të tjera opozitare, por jo edhe për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.


Megjithatë, Çitaku shtoi se ende duhet të përfundohen disa procedura, si numërimi i të gjitha votave, para se se të fillojnë “konsultimet, bisedimet me partnerët eventualë të koalicionit, që do të udhëhiqet nga Bedri Hamza”.


“Çdo vendim politik i PDK-së do të merret nga organet e partisë duke u bazuar në interesin e qytetarëve. Ne jemi te gatshëm ta marrim përgjegjësinë e qeverisjes me vendin”, tha Çitaku në konferencën për media.


Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare. Megjithatë, këto ulëse nuk janë të mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme.




Për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej. Por, përqindja pritet të ndryshojë pas numërimit të votave të diasporës.


Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë qëndrim zyrtar lidhur me koalicionet e mundshme paszgjedhore, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ngjashëm si PDK-ja, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.


“Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, në një konferencë për gazetarë.


“Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës - assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.




Njëzet nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës u takojnë minoriteteve – dhjetë komunitetit serb dhe dhjetë komuniteteve joserbe.


Përfaqësues politikë të komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë, të cilët, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë do të mbështesnin - parimisht - cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, pavarësisht nëse do të vinte nga partia aktuale në pushtet, Vetëvendosje, apo nga partitë opozitare.




Disa nga ata, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë kushte për mbështetjen e kandidatit të ri për kryeministër, ndërsa të tjerë nënkuptojnë mbështetje të pakushtëzuar për cilëndo qeveri.


Gjatë fjalimit kur shpalli fitoren në ditën e zgjedhjeve, lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021 në koalicion me pakicat joserbe, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.


Kur i fitoi zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019, Kurti e formoi qeverinë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, pikërisht me iniciativën e këtij partneri të koalicionit, ajo qeveri ra më pak se dy muaj pas formimit, për shkak të mosmarrëveshjeve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.


Në zgjedhjet e mëvonshme, VV-ja fitoi mbi 50 për qind të votave dhe arriti ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë opozitare. Qeveria "Kurti 2" u bë qeveria e parë në Kosovë që e përfundoi mandatin katërvjeçar.