ru24.pro
World News in Albanian
Февраль
2025
1 2 3 4 5 6 7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28

Për kë të votoj dhe çfarë premtuan partitë?

0
Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.


Vendvotimet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë hapen të dielën e 9 shkurtit, në orën 7. A keni vendosur se cilës parti t’ia jepni votën tuaj? Nëse jo, ky udhëzues nga Ekrem Idrizi ofron një përmbledhje të asaj se ku qëndrojnë partitë politike për çështjet më me rëndësi për votuesit, bazuar në premtimet që ata i kanë bërë – apo nuk i kanë bërë – gjatë fushatës.


Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.



Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!


Në Kosovë prej kohësh nuk është mbajtur fushatë zgjedhore për një muaj të tërë. Prandaj, edhe ka qenë e vështirë t’iu ikësh diskutimeve për të.



Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është biseduar në studio televizive, në tavolina mes miqsh e kolegësh nëpër kafene, në familje. Kudo. Mos të flasim për rrjetet sociale.



Edhe kur videoklipet e partive politike nuk janë reklamuar me pagesë, një mori faqesh kanë shkëputur pjesë të fjalimeve të kandidatëve për kryeministër, qoftë për të bërë shaka, qoftë për kritikë, apo për të nisur debat se sa të realizueshme janë gjithë ato premtime.



Fjalimet e fushatës i kemi përcjellë edhe ne në redaksinë e Radios Evropa e Lirë. Për ne është pjesë e punës.


Ekonomia

Ajo që kemi vërejtur – sikurse edhe disa organizata joqeveritare që monitorojnë fushatën dhe zgjedhjet – është që premtimet janë bërë kryesisht në sektorin e ekonomisë. Në këtë pikë, premtimet kanë qenë goxha zemërgjera.



Disa prej tyre përmendin ndihmën për prodhuesit vendorë dhe fokusimin në ankesat e tyre, përfshirë tatimin e lartë mbi vlerën e shtuar, ekonominë joformale, kamatat e larta për kredi, mungesën e infrastrukturës, jostabilitetin me rrymë, e të tjera.



Çdo vit, Kosova importon mesatarisht mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove.



Çfarë u tha, e çfarë nuk u tha për këtë sektor në fushatë, e kuptoni në këtë artikull që kemi publikuar së voni.




Energjia

Hiç më larg se në natën e Vitit të Ri, kemi dëgjuar për probleme me energji elektrike, apo kemi parë njerëz duke festuar me qirinj në tavolinë, në mungesë të rrymës.



Por, partitë politike kanë premtuar se ato ditë do të harrohen.



Në mesin e premtimeve të tyre përfshihen prodhimi i energjisë elektrike përmes gazit, apo edhe ndërtimi i një termocentrali të ri me thëngjill.



Shikojeni këtë video që kemi publikuar, për të kuptuar çfarë u premtua në fushatë, çfarë thonë ekspertët, e sa të realizueshme janë gjithë këto ide.


Dialogu, Asociacioni...

Nëse për ekonomi dhe për sektorin e energjisë është folur dhe stërfolur, për çështje tjera të mëdha, të rëndësishme e të pashmangshme, sikurse qasja në dialogun me Serbinë, apo nëse duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kandidatët për kryeministër – Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – kanë qenë të heshtur.



Anëtarë tjerë të partive të tyre, përveç të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, kanë thënë hapur se Asociacioni duhet të formohet, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.



Në këtë material, dhe në këtë tjetrin, mund të kuptoni gjerë e gjatë se si është situata.



Në fushatë nuk është folur as për tema të tjera me rëndësi për qytetarët, sikurse Kodi Civil, Ligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor (IVF), si dhe bartja e shamisë në shkolla.



Çfarë kemi bërë ne? I kemi ftuar kandidatët për deputetë në studion tonë, në Prishtinë, dhe u kemi kërkuar mendim për secilën temë, veç e veç.



Ftesën e kanë pranuar përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së.



Shikojeni këtë video dhe vlerësojeni vetë se si i shohin ata këto tema.




Dhuna në familje

E kemi vërejtur që në fushatë nuk është folur as për dhunën në familje, pavarësisht se shifrat rriten nga viti në vit.



Të dhënat e Policisë së Kosovës, për vitin 2024, tregojnë se numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ka shënuar rritje në krahasim me vitin 2023.



Me gjithë përpjekjet e redaksisë, përfaqësuesit politikë nuk janë deklaruar për REL-in se çfarë do të bëjnë për t’iu kundërvënë dhunës në familje.



Sipas njohësve të fushës, as puna e tyre në programet zgjedhore për ta adresuar këtë problem nuk është për lëvdatë. Lexojeni këtë artikull për të mësuar më shumë.


Arsimi, mjedisi

Nga ajo që kemi parë në gjithë këto ditë fushatë, fokusi në arsim ka qenë relativisht i zbehtë, me gjithë faktin se cilësia e arsimit në Kosovë mbetet e dobët.



Në tri teste të PISA-s – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë – më 2015, 2018 dhe 2022, Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.



Prapëseprapë, partitë politike nuk kanë shkuar përtej metodave tradicionale në premtimet e tyre mes gjithë bumit teknologjik. Më shumë hollësi në këtë material tonin.



Vëmendje të ngjashme kanë marrë edhe çështjet mjedisore, pavarësisht se Kosova vuan nga nivele të larta të ndotjes së ajrit, e përtej. Lexojeni këtë artikull për të parë se cilat janë planet e partive për reduktim e ndotjes.




Vota e të rinjve

Ndër materialet më interesante që kemi punuar në ditët e fushatës ka qenë me të rinjtë. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të dëgjojmë se si iu duket atyre situata në Kosovë, çfarë pëlqejnë, çfarë jo, çfarë duhet të ndryshohet, çfarë po bëhet mirë…



Nëse nuk e keni parë diskutimin e tyre ende, jua sugjerojmë ta shikoni këtu.



Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të votojnë për herë të parë mbi 100 mijë të rinj.



Për pritjet e tyre mund të kuptoni edhe këtu.



Mos harroni, dalja në votime është e rëndësishme, sepse e forcon demokracinë, dhe përmes saj ju shpërbleni apo ndëshkoni politikanët.



Në këtë video ju rikujtojmë gjëra praktike për procesin e votimit.


Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).



Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:



Shpenzimi i parave publike në Kosovë: Çka tregojnë të dhënat?
Rreziku nga objektet e vjetra: Kush është përgjegjës për parandalim dhe reagim?
Ç'është fentanili, ilaçi vdekjeprurës që u bë shkas për tarifat e Trumpit?


Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.