ru24.pro
World News in Albanian
Февраль
2025
1 2 3 4 5 6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28

Komisionarja Kos kërkon hetime për dhunën ndaj protestuesve në Serbi

0
Komisionarja për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka bërë thirrje për dialog gjithëpërfshirës në Serbi për t’i adresuar shqetësimet që ekzistojnë në atë vend dhe për hetime të pavarura dhe të plota për rastet e sulmeve ndaj protestuesve.


Tre muaj pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 15 persona, protestat e studentëve në Serbi vazhdojnë. Atyre u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë që i mbështesin.


Qendra për Gazetari Hulumtuese (CINS) raportoi se që nga fillimi i protestave, kishte më shumë se 50 sulme ndaj studentëve, përfshirë përplasje nga makinat dhe goditje me shkopinj, grushte e shqelma.


Në një letër publike Kos u është përgjigjur disa letrave që ka marrë nga organizatat e shoqërisë civile në Serbi, akademikët, përfaqësuesit politikë dhe të tjerë.


Ajo ka thënë se vlerat themelore janë bazamenti i projektit evropian dhe ato duhet të respektohen.


Në këtë letër, Kos është shprehur se mbetet prioritet i Komisionit Evropian dhe presidentes Von der Leyen që të mbështesin përparimin e Serbisë në rrugën që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.


“Rruga drejt anëtarësimit në BE përfshin reformat, të cilat janë pjesë e vlerave tona të përbashkëta dhe praktikës. Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian ofron zgjidhje për shumë çështje të cilat janë në zemër të diskutimeve të sotme. Reformat që janë pjesë e procesit të integrimit në BE do të forcojnë luftën kundër korrupsionit, sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe përgjegjësinë e institucioneve”, ka thënë Kos duke shtuar se përparimi drejt BE-së do të promovojë dhe lirinë e mediave dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve.




Komisionarja për zgjerim ka dërguar porosinë që procesi i integrimit në BE duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet të jetë një projekt i përbashkët, duke kërkuar dialog ku do të përfshiheshin faktori politikë dhe shoqëria civile.


“Liria e tubimit është e drejtë themelore, e cila duhet të respektohet. Ajo duhet të shprehet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Kanë dalë dëshmi për incidentet ndaj protestuesve. Presim hetime të shpejta, të plota dhe të pavarura. Asnjë lloj dhune nuk duhet të tolerohet. Presim nga policia e Serbisë që të vazhdojë të ofrojë siguri për protestuesit. Gjuha e cila nxit dhunë dhe mungesa e respektit të ndërsjellë nuk mund të jetë zgjidhje”, ka theksuar Kos.


“Këto reforma do të kenë ndikim transformues, nga i cili do të kenë dobi të gjithë qytetarët dhe do ta sjell Serbinë më afër bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.


Protestat e vazhdueshme në Serbi kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.


Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.