ru24.pro
World News in Albanian
Январь
2025
1 2 3 4 5 6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Irani e qorton ambasadoren italiane në lidhje me arrestimin e një iraniani të kërkuar nga SHBA-ja

0
Ministria e Jashtme e Iranit e ka thirrur në një takim ambasadoren italiane në Teheran të premten, për të protestuar në lidhje me ndalimin e një shtetasi iranian të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të dyshuar në sulmin vdekjeprurës me dronë kundër forcave amerikane, raporton Reuters.


Të enjten, Italia veproi ngjashëm duke e thirrur në takim protestues ambasadorin iranian në Romë, në lidhje me arrestimin e gazetares italiane Cecilia Sala, e cila u ndalua në Teheran më 19 dhjetor derisa po punonte me vizë gazetareske.


Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit “i bëri thirrje Italisë të mos e përdor politiken amerikane pengmarrëse – e cila është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, posaçërisht me të drejtat e njeriut – dhe ta lirojë sa më parë [Mohammad] Abedinin dhe ta parandalojë dëmtimin e marrëdhënieve dypalëshe”, raportuan mediat shtetërore në Iran.




Të enjten, Ambasada iraniane në Romë tha se autoritetet iraniane janë duke ia ofruar Salas të gjithë kujdesin e nevojshëm humanitar, dhe për herë të parë, e lidhën rastin e saj me atë të Abedinit.


Irani tha të hënën se Sala u arrestua për "shkeljen e ligjeve të Republikës Islamike", duke mos dhënë hollësi shtesë.


Sala u arrestua tri ditë pas Abedinit, biznesmenit iranian që u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një fletarrestimi të SHBA-së, pasi dyshohet se i kishte furnizuar me pjesë dronët që Uashingtoni thotë se u përdorën në sulmin e vitit 2023, ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.


Irani i ka mohuar përfshirjen në sulm.


Abedini po mbahet në paraburgim dhe gjykata do të vendosë këtë muaj nëse do t'i vendoset në arrest shtëpiak, derisa gjyqtarët ta shqyrtojnë kërkesën e SHBA-së për ekstradim.


Në vitet e fundit, forcat e sigurisë të Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe njerëz me shtetësi të dyfishtë, kryesisht për akuza që lidhen me spiunazhin dhe sigurinë. Grupet për të drejtat e njeriut e ka akuzuar Iranin se po përpiqet të nxjerrë koncesione nga shtetet e tjera përmes këtyre arresteve.


Irani e mohon këtë.