ru24.pro
World News in Albanian
Ноябрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29
30

Gjykata urdhëron rinumërimin e votave në rundin e parë të zgjedhjeve në Rumani

0
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka urdhëruar rinumërimin e votave të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vend, të cilin e fitoi befasisht kandidati i ekstremit të djathtë.


Kushtetuesja tha në një komunikatë më 28 nëntor se ka “urdhëruar njëzëri rishikimin dhe rinumërimin e votave për zgjedhjet presidenciale të 24 nëntorit".


Gjykata në Bukuresht tha se vendimi i saj është përfundimtar.




Komisioni Qendror Zgjedhore do të takohet më vonë gjatë ditës për të diskutuar për vendimin e gjykatës.


Calin Georgescu, kandidati i pavarur dhe prorus i ekstremit të djathtë, shënoi fitore befasuese në rundin e parë të zgjedhjeve, duke i marrë afro 23 për qind të votave.


Georgescu pritet të përballet me Elena Lasconin, kandidaten e qendrës së djathtë dhe mbështetësen e fuqishme të integrimit euro-atlantik, në balotazhin e 8 dhjetorit, pasi që të dy morën më shumë vota se kryeministri majtist dhe favoriti, Marcel Ciolacu.


Pa përkrahjen e asnjë partie politike, fushata e Georgescut u mbështet kryesisht në platformën sociale TikTok, ku llogaria e tij kishte 1.6 milionë pëlqime.




Përveçse shprehte pikëpamjet e tij politike, Georgescu e përdorte gjithashtu TikTok-un për të postuar video ku shihej duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo dhe duke vrapuar në pistë.


Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë deklaroi pas vendimit të gjykatës se ka gjetur prova se "sulme kibernetike" ishin përdorur për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.


Pa e përmendur me emër Calin Georgescun, këshilli akuzoi gjithashtu se platforma TikTok kishte dhënë "trajtim të favorizuar" për një kandidat të caktuar.


Presidenti i Rumanisë ka kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse, përfshirë per çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.


I zgjedhur për një mandat pesëvjeçar, presidenti gjithashtu ka pushtet të mos i pranojë kandidaturat partiake për kryeministër dhe emërimet qeveritare për poste gjyqësore.