ru24.pro
World News in Albanian
Ноябрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22
23
24
25
26
27
28
29
30

Arrestohen 11 persona në lidhje me tragjedinë në stacionin hekurudhor në Novi Sad

0
Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad të Serbisë njoftoi të enjten se 11 persona janë arrestuar në lidhje me shembjen e një strehe në një stacion hekurudhor në fillim të këtij muaji, si pasojë e të cilës vdiqën 15 njerëz.


Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 14 njerëz të vdekur në vend, dhe tre të lënduar.


Të dielën vdiq njëri nga të lënduarit, duke e çuar në 15 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.


Zyra e Prokurorit tha në një komunikatë se 11 njerëz u arrestuan për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, pas intervistimit të një numri qytetarësh dhe analizimit të incidentit.


Në njoftim u dhanë vetëm inicialet e personave të arrestuar.


Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë protestash në Serbi.




Disa ditë pas incidentit, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq, dha dorëheqje.


Megjithatë, Vesiq tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se nuk e pranon fajin për incidentin, por u dha dorëheqje si “njeri i përgjegjshëm”.


Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad ishte rihapur në korrik të vitit 2024, pas tri vjetësh rindërtimi.


Institucioni i hekurudhave serbe tha në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”.


Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.


Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez.