ru24.pro
World News in Albanian
Ноябрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30

MASHTI thotë se do t’i tërheqë doracakët për edukimin seksual për t'i rishikuar

0
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) njoftoi të premten se ka vendosur t’i rishikojë doracakët për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues në shkolla, të cilët ngjallën shumë reagime në ditët e fundit.


Tre doracakë për mësimdhënësit nga klasa e parë deri në të pestën, nga e gjashta deri në të nëntën dhe nga e 10-ta deri në të 12-ën, shkaktuan polemika pasi u keqinterpretua përmbajtja e tyre dhe madje kishte përpjekje për t’i paraqitur ato si tekste shkollore për nxënës.


Doracakët, përmbajtja e të cilëve u kritikua në rrjetet sociale, do të hiqen nga përdorimi gjatë kohës së rishikimit të tyre, tha Ministria.




MASHTI tha të premten se do ta formojë një komision me “ekspertët më të kualifikuar” në vend për rishikimin e tyre.


“Të ftuar do të jenë të gjitha palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës. Ky proces do të kryhet në mënyrë profesionale, etike e transparente, dhe me tërë përkushtimin që kërkon ligji dhe detyra”, tha ajo.


Në tetor 2023, MASHTI e kishte organizuar javën e promovimit të shëndetit në shkolla, me temën “Edukimi seksual gjithëpërfshirës në shkolla”.


Ministrja Arsimit, Arbërie Nagavci, e përgëzoi asokohe grupin punues ndërsektorial dhe UNFPA-n, për hartimin e këtyre tre doracakëve ndihmës për mësimdhënës.


MASHTI përsëriti se doracakët nuk janë kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual.


Sipas Ministrisë, më shumë se 2.500 mësimdhënës janë trajnuar për përdorimin e këtyre doracakëve prej vitit 2019.


“Deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë palë, përfshirë ekspertët shëndetësorë, psikologët, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, Drejtoritë Komunale, apo palë të tjera në lidhje me përmbajtjen e doracakëve. Pra, nga asnjë mësimdhënës nuk është ngritur kurrë më parë kjo temë”, tha MASHTI.


Doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MASHTI deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me “ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi”, thuhet në njoftim.