ru24.pro
World News
Январь
2026
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Trump thotë se e bindi veten të mos e sulmojë Iranin

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, thotë se vendosi vetë të mos ndërmarrë sulme ushtarake kundër Iranit, duke ia atribuar vendimin e tij vendimtar anulimit të pretenduar nga Teherani të qindra ekzekutimeve të planifikuara.

“Askush nuk më bindi. E binda veten”, u tha Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë më 16 janar, kur u pyet nëse zyrtarë arabë dhe izraelitë e kishin bindur të tërhiqej. “Dje kishin të planifikuara mbi 800 varje. Nuk varën askënd. I anuluan varje­t. Kjo pati një ndikim të madh”.

Trump më herët kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara ishin “gati dhe të armatosura” për të vepruar nëse forcat e sigurisë iraniane do të vrisnin protestues. Më pas ai kërcënoi se do të ndërmerrte “veprime shumë të forta” nëse Irani do të varte protestues.

Më herët, më 16 janar, Trump falënderoi publikisht udhëheqjen e Iranit në Truth Social, duke shkruar: “E respektoj shumë faktin që të gjitha varje­t e planifikuara, që do të ndodhnin dje (mbi 800 prej tyre), janë anuluar nga udhëheqja e Iranit. Faleminderit!”

Komenti i presidentit vjen pasi mediat amerikane, duke cituar zyrtarë rajonalë, raportuan se Katari, Arabia Saudite, Omani dhe Egjipti i kishin bërë thirrje administratës Trump ditët e fundit të mos sulmonte Iranin, duke paralajmëruar se një veprim ushtarak mund të shkaktonte një konflikt më të gjerë rajonal.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjithashtu foli me Trumpin në telefon më 15 janar, duke i kërkuar, sipas raportimeve, të shtynte sulmet e mundshme në mënyrë që Izraeli të mund të përgatitej për një kundërpërgjigje të mundshme iraniane.

Ndërhyrja diplomatike erdhi në mes të një goditjeje brutale ndaj protestave kundër establishmentit që nisën më 28 dhjetor 2025, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të Iranit dhe që u shndërruan në sfida të drejtpërdrejta ndaj teokracisë së vendit.

Grupi Iran Human Rights me bazë në Norvegji ka verifikuar të paktën 3.428 vdekje protestuesish nga forcat e sigurisë, ndërsa organizata HRANA me bazë në SHBA e vendos numrin e verifikuar të të vrarëve në 2.885.

Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se numri real ka të ngjarë të jetë më i lartë, për shkak të ndërprerjes së internetit të vendosur që nga 8 janari, e cila ka penguar ndjeshëm përpjekjet për verifikim.

Irani nuk ka konfirmuar publikisht planet për të ekzekutuar 800 protestues, dhe pretendimet e Shtëpisë së Bardhë për ekzekutimet e anuluara mbeten të paverifikuara.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se të gjitha opsionet mbeten “në tryezë” në lidhje me Iranin.