ru24.pro
World News
Июнь
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25
26
27
28
29
30

Trump: Zyrtarët e SHBA-së dhe Iranit do të bisedojnë javën e ardhshme

0

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se zyrtarët amerikanë dhe iranianë do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme, për të vazhduar dialogun që u ndërpre nga lufta mes Izraelit dhe Iranit.

Lufta e shkurtër përfundoi pas arritjes së një armëpushimi më 24 qershor.

“Ne do të bisedojmë javën e ardhshme me Iranin. Ndoshta do të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di”, tha Trump gjatë një konference për media pas samitit të NATO-s në Hagë të Holandës.

Trump tha se nuk është veçanërisht i interesuar për rinisjen e negociatave me Iranin, duke insistuar se sulmet që SHBA-ja kreu ndaj Iranit, ia kanë shkatërruar programin bërthamor Teheranit.

“Siç e shoh unë, ata luftuan, lufta ka përfunduar”, tha ai.

Irani ende nuk e ka pranuar nëse do të mbahen bisedime javën e ardhshme, edhe pse i dërguari për Lindjen e Mesme i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë se ka pasur komunikim direkt dhe inderekt mes dy shteteve.

Armëpushimi i brishtë ka rritur shpresat për paqe afatgjatë, edhe pse Teherani këmbëngul që nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Trump, i cili ndihmoi në negociimin e armëpushimit që hyri në fuqi të martën, në ditën e 12-të të luftës, u tha më herët gazetarëve në një samit të NATO-s se gjithçka po shkonte “shumë mirë,” duke shtuar se Irani “nuk do të ketë një bombë dhe nuk do të pasurojë [uranium].”

Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon që të parandalojë Iranin nga posedimi i një arme bërthamore. Të dyja vendet këmbyen sulme të përditshme për 12 ditë, teksa të dielën SHBA-ja sulmoi tri objekte bërthamore të Iranit, duke thënë se ia ka shkatërruar programin bërthamor Republikës Islamike.

Para se Izraeli të niste fushatën ushtarake, SHBA-ja dhe Irani kishin mbajtur pesë runde bisedimesh për programin bërthamor të Teheranit, që u ndërprenë më pas për shkak të konfliktit.