ru24.pro
World News
Февраль
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26
27
28

Vatikani: Gjendja shëndetësore e Papës vazhdon të jetë kritike

0
Papa Françesku, që po përballet me pneumoni të dyfishtë, vazhdon të jetë në gjendje kritike për të katërtën ditë me radhë, por gjendja e tij është stabile dhe ai nuk ka pasur kriza të tjera të frymëmarrjes, tha Vatikani më 25 shkurt.


Papa, 88 vjeç, ka kaluar natën e dymbëdhjetë në spitalin Gemelli të Romës, që njëherësh paraqet qëndrimin më të gjatë të tij në spital.


“Kushtet klinike të Atit të Shenjtë vazhdojnë të jenë kritike, por stabile”, u tha në njoftimin e fundit të lëshuar nga Vatikani.


Një zyrtar i Vatikanit, i cili foli në kushte anonimiteti për mediat më herët gjatë së martës tha se Françesku po ushqehet normalisht, po lëvizë në dhomën e tij të spitalit dhe po vazhdon trajtimin.


Vatikani po ashtu njoftoi se Françesku është takuar me numrin dy të Kishës, kardinalin Pietro Parolin dhe zëvendësin e Parolinit të hënën.


Në njoftim u tha se ata diskutuan për punë të lëna pezull sa i përket çështjeve që lidhen me shenjtërimin. Vatikani tha po ashtu se disa emërtime të reja kërkojnë miratimin e Papës.  




Të hënën Vatikani tha se gjendja shëndetësore e Papës vazhdon të jetë kritike, por ai kishte shfaqur “një përmirësim të lehtë”, duke shtuar se problemi me veshka, për të cilin fillimisht u raportua në fundjavë, nuk ishte gjë shqetësuese.


Pneumonia e dyfishtë është një infeksion serioz i dy mushkërive që mund të shkaktojë inflamacion dhe të vështirësojë frymëmarrjen. Vatikani ka thënë se infeksioni i Papës është “kompleks”.


Françesku, që është udhëheqësi i Kishës Katolike që nga viti 2013, në dy vjetët e fundit është përballur me probleme shëndetësore. Ai është i prirë të ketë infeksione në mushkëri, pasi kur ishte i ri i ishte hequr një pjesë e mushkërisë.


Teksa Papa po vazhdon qëndrimin në spital, mijëra persona u mblodhën të hënën në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u lutur për shëndetin e tij.