ru24.pro
World News
Январь
2025

Belgjika në grevë: Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

0
Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.


Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit - më i madhi i Belgjikës - u anuluan, pasi bartësit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.


Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.


Operatori i aeroportit Charleroi - që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair - tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.


Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu - dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë.


Shërbimi i trenave u ndërpre edhe në Bruksel.


Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga qeveria e ardhshme.


Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.


Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC.


Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel gjatë ditës.