ru24.pro
World News
Декабрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27
28
29
30
31

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

0
Konkluzionet e miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska paraqesin kërcënim për rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, rrjedhimisht janë edhe antiDejton dhe minojnë autoritetin e institucioneve, sundimit të ligjit në nivel shtetëror dhe rrugën e vendit drejt integrimit euroatlantik.


Kështu u tha në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë si dhe të delegacionit të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Bosnje e Hercegovinë.


Në orët e para të 25 dhjetorit, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar një rezolutë që kërkon që Millorad Dodik, presidenti prorus i këtij entiteti serb, të mos i përgjigjet thirrjes për paraqitje të lëshuar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës derisa të jetë mirë me shëndet.


Në deklaratën e përbashkët të shteteve perëndimroe thuhet se të gjitha ligjet dhe konkluzionet e miratuara nga trupat më të ulët – përfshirë trupat parlamentar të entiteteve – duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën asnjë entitet nuk ka autoritetin të sfidojë ligjet ekzistuese dhe institucionet e Bosnjës.


“Në kohën kur asnjëherë më parë nuk ka qenë afër mundësia e hapjes së negociatave zyrtare për anëtarësim në BE, rikthimi i bllokadave politike do të kishte pasoja negative për të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, shumica e të cilëve mbështesin pranimin në BE”, u tha në deklaratën e shteteve perëndimore të lëshuar më 25 dhjetor.


SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Gjermania dhe delegacioni i BE-së mbështesin sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës. Në deklaratë po ashtu u tha se ata mbështesin Përfaqësuesin e Lartë, i cili, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, është interpretuesi final i aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes.


Kërkesa e paraqitur në rezolutën e miratuar paraqet zbutje të qëndrimit pasi në tekstin paraprak të rezolutës propozohej që Dodikut t’i kërkohej që të mos i përgjigjej asnjë thirrjeje të gjykatave të Bosnje e Hercegovinës, nga të cilat ai po gjykohet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në këtë shtet.


Kjo ishte një nga 12 konkluzionet që u miratuan nga Parlamenti i Republikës Sërpska pas shqyrtimit të “informacionit mbi kolapsimin e rendit juridik në Bosnje e Hercegovinë lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”.


Dodik, i cili së fundi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Beograd, ishte paraparë të paraqitej para gjykatës më 24 dhjetor, por seanca sipas avokatit të tij është shtyrë për 30 dhjetor.




Përderisa ekipi mbrojtës i Dodikut ka argumentuar se ai nuk mund të marrë pjesë në gjykim për disa muaj, kohë që sipas tyre do t’i duhet për t’u rikuperuar, eksperti ligjor Haris Vraniq që është emëruar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, ka përcaktuar se Dodik është i aftë që të marrë pjesë në seanca gjyqësore.


Aktualisht, Dodik po përballet me gjykim pasi ka nënshkruar një dekret presidencial duke i shpallur të vlefshme dy ligje në entitetin serb që paraprakisht ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.


Përveç Dodikut, Prokuroria po ashtu ka akuzuar Millosh Lukiq, si ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazës Zyrtare në Republikën Sërpska, se ka mundësuar publikimin e dekretit të Dodikut.


Dekreti ka të bëjë me amendamente në Ligjin për publikimin e ligjeve dhe rregullativave të tjerë në Republikën Sërpska dhe për Ligjin për vendimet e paaplikueshme të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.


Në mesin e konkluzioneve të miratuara nga Parlamenti i Republikës Sërspka ishte edhe kërkesa që përfaqësuesit e emëruar të Republikës Sërpska në institucionet e Bosnje e Hercegovinës të pezullojnë marrjen e vendimeve derisa Gjykata e Bosnje e Hercegovinës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit të pezullojnë “procesin e motivuar politikisht” kundër Dodikut dhe Lukiqit.


Megjithatë, nuk do të ketë bllokada “nëse vendimet merren lidhur me transferimin e jurdikisionit nga niveli i Republikës Sërpska në nivelin e Bosnje e Hercegovinës”.


Përfaqësuesve të Republikës Sërpska në institucione po ashtu u është kërkuar që të pezullojnë marrjen e vendimeve sa i përket integrimit evropian derisa të plotësohen kushtet që ky proces të vazhdojë “në përputhje me parimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.


Shumica parlamentare po ashtu dënoi “ndërhyrjen” e Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Bosnjës në punën e Parlamentit të Republikës Sërpska, duke thënë se vendimet e Parlamentit të këtij entiteti mund të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.


Para nisjes së seancës së posaçme plenare, Zyra e Prokurorit kërkoi informacione bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me të dhënat që kanë të bëjnë me dyshimet se janë kryer disa vepra penale, përfshirë “marrëveshja për të kryer një vepër penale”, “përgatitja për të kryer një vepër penale” dhe “sulm ndaj rendit kushtetues”.


Në fjalën e tij para Parlamentit, kreu i këtij institucioni, Nenad Stevandiq tha se ky reagim i Prokurorisë bazohet “në gënjeshtra”.




Në konkluzionet e tjera të miratuara u tha se Parlamenti i Republikës Sërpska “mbetet i përkushtuar në respektimin e integritetit territorial dhe ndarjes së sovranitetit mes entiteteve sipas Dejtonit”, por Përfaqësuesi i Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria u akuzuan se po e shkelin Marrëveshjen e Dejtonit.


Përfaqësuesit e partisë në pushtet thanë se shkelja e Dejtonit “kulmoi me gjykimin e motivuar politikisht kundër presidentit të Republikës Sërpska”. Ky gjykim, sipas tyre, “është rezultat i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Dodikut”.


Që nga viti 2017, Dodik është nën sanksione amerikane për pengim apo kërcënim për të penguar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.


Më 2022, ndaj tij u vendosën sanksione të tjera të cilat e akuzojnë Dodikun për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shkeljen, pengimin apo kërcënimin e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit si dhe për aktivitete korruptive.