ru24.pro
World News
Декабрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27
28
29
30
31

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë 

0
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të hënën se ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari me iniciale V. N për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.


Sipas aktakuzës, V.N dyshohet për vrasjen e personave M.A. dhe SH.A. si dhe plagosjen e SH.S.


Vepra dyshohet se u krye në qytetin e Suharekës, gjatë viteve 1998-1999, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe.


Për shkak se i pandehuri V.N është i paarritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria thotë se janë “plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”.




Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.


Kjo është aktakuza e dytë për krime lufte në mungesë e ngritur gjatë muajit dhjetor.


Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media në lidhje drejtësinë tranzicionale, më 23 dhjetor, tha se deri më tani janë të ngritura 67 aktakuza nga departamenti për krime lufte në Prokurori.


"(Aktakuzat janë të ngritura) në 62 raste ndaj 174 personave. 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe ky numër pritet të rritet në vazhdimësi", tha Haxhiu.


Tutje Haxhiu tha se gjykimet në mungesë kanë qenë të rëndësihme "duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës".


Gjykimi i parë në mungesë për krime lufte pati nisur në nëntor të vitit 2023 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.


Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shterur të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.


Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.


Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.


Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).


Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.


Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.




Më shumë se 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.