ru24.pro
World News
Декабрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20
21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Vendimi i Gjykatës Speciale për Shalën, Jonuzin dhe Bahtijarin do të merret “me kohë”

0
Paneli gjyqësor i Dhomave Specializuara në Hagë - të njohur edhe si Gjykata Speciale - ka bërë të ditur se vendimi për pranimin apo jo të marrëveshjeve të pranimit të fajësisë për të tre të akuzuarit, Haxhi Shalën, Sabit Jonuzin dhe Ismet Bahtijarin, “do të merret me kohë”.


Tre të akuzuarit kanë pranuar këtë javë fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, nëpërmjet një marrëveshjeje për pranim të fajësisë, të arritur me Prokurorinë e Specializuar.


Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar që të mos dëshmojë para Gjykatës Speciale.


Deri më tani, nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka qenë e paraparë të dëshmojë ai.


Bahtijari është pajtuar përgjatë së enjtes që në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.


Një ditë më parë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, ndërsa Jonuzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj.




Çfarë thotë akuza për Shalën, Jonuzin e Bahtijarin?

Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik, 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kontaktuan një dëshmitar.


Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.


Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.


Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.


Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.


Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.




Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.


Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.


Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.


Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.


Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.


Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.