ru24.pro
World News
Декабрь
2024
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21
22
23
24
25
26
27
28
29
30
31

Greqia thotë se mbështetja e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është e kushtëzuar

0
Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj dhjetëvjeçare për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por me kusht që ajo t’i respektojë të drejtat e pakicës greke në vend, tha të mërkurën kryeministri Kyriakos Mitsotakis, raporton Reuters.


Marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës u përkeqësuan pasi Shqipëria e arrestoi politikanin e pakicës greke, Alfred Beleri, gjatë një fushate për zgjedhjet lokale në qytetin e tij të Himarës vitin e kaluar dhe e burgosi atë për blerje votash.


Beleri u lirua këtë vit pasi fitoi një vend në Parlamentin Evropian si kandidat i partisë konservatore të Mitsotakisit, Demokracia e Re.




Duke folur në nënshkrimin e një kontrate për një rrugë të re që lidh qytetin veriperëndimor grek të Janinës me fshatin shqiptar Kakavijë, Mitsotakis tha se Greqia gjithmonë ka ruajtur marrëdhënie të mira me fqinjën e saj në Adriatik.


Por, mbështetja e saj për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE varet nga shpejtësia e përmbushjes së detyrimeve të kahershme që lidhen me pronësinë dhe të drejtat e tjera të pakicës greke në Shqipëri, e cila është më e madhja në vend.


"Ekziston një rrugë e vazhdueshme e kushteve drejt Bashkimit Evropian, ku ne jemi në thelb rregullatorët e shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të ecë drejt Evropës", tha Mitsotakis para se të udhëtonte për në Bruksel për samitin BE-Ballkan Perëndimor.


Shqipërisë, së bashku me Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, u është premtuar anëtarësimi në BE vite më parë dhe ato janë në bisedime me BE-në për mënyrën se si të përshpejtojnë reformat e nevojshme, të cilat do t'i ndihmojnë përfundimisht të bëhen pjesë e bllokut me 27 vende.




Por, procesi ka ngecur, kryesisht për shkak të përparimit të ngadaltë në reforma dhe gjithashtu për shkak të mungesës së dëshirës nga shtetet anëtare të BE-së për zgjerim të mëtejshëm.


Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian në tetor, 15 vjet pasi kishte aplikuar për anëtarësim.


Ndërkohë, të mërkurën, pas një takimi me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në Athinë, ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, tha se Greqia gjithashtu mbështet përpjekjet e Serbisë për t'u anëtarësuar në BE.


"Anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike", tha Gerapetritis.