ru24.pro
World News
Ноябрь
2024

Forcat e sigurisë i shpërndajnë dhunshëm protestuesit në Tbilisi, sulmohen gazetarët e REL-it

0
Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit pranë Parlamentit të Gjeorgjisë në Tbilisi mëngjesin e së premtes, duke i sulmuar disa njerëz, përfshirë gazetarët e Radios Evropa e Lirë (REL) dhe mediave të tjera.


Parlamenti i rriti shkallën e sigurinë në nivelin më të lartë, pasi mijëra njerëz u mblodhën për ta shfryer zemërimin e tyre pas njoftimit të kryeministrit, Irakli Kobakhidze, një ditë më herët se Qeveria do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në BE deri në vitin 2028, dhe se nuk do të pranojë grante buxhetore nga Brukseli.


Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se 43 njerëz u arrestuan "si pasojë e veprimeve të jashtëligjshme dhe të dhunshme".


Gjeorgjia është duke u përballur me trazira prej zgjedhjeve parlamentare në tetor – të cilat i fitoi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane – por me opozitën dhe qeveritë perëndimore që argumentuan se votimi u përshkrua me shkelje dhe me ndikim rus.


Protesta më të vogla pro Bashkimit Evropian kanë shpërthyer edhe në qytete si Batumi, Gori, Kutaisi dhe Zugadidi.




Mëngjesin e së premtes, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër demonstruesve paqësorë. Shtypja policore vazhdoi gjatë gjithë mëngjesit, me oficerë të maskuar që qëllonin me plumba gome dhe rrihnin brutalisht protestuesit dhe gazetarët.


Një gazetar i Shërbimit gjeorgjian të REL-it, Davit Tsagareli, u godit me grushte dhe u hodh përtokë nga një oficer policie derisa po raportonte drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.


Më herët, REL-i e kishte xhiruar një oficer policie duke e goditur në mënyrë të përsëritur në kokë një gazetar të TV Formula. Pas rrëzimit të gazetarit përtokë, oficeri u largua nga vendi i ngjarjes. Gazetari u shtrua në spital me lëndime në fytyrë dhe kokë.




Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e cila është kritike e ashpër e partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, u bashkua me protestën në Tbilisi më 28 nëntor, duke shfaqur solidaritet me demonstruesit.


"Unë jam me këta njerëz. Rezistenca ka nisur dhe nuk do të ndalet derisa të kemi zgjedhje të reja", u tha ajo gazetarëve.


Ajo gjithashtu i konfrontoi edhe policët, duke u thënë se është "detyra e tyre ta mbronin" sovranitetin e Gjeorgjisë dhe duke i pyetur nëse ata "i shërbejnë Rusisë apo Gjeorgjisë".




Më herët gjatë ditës, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë e cila bën thirrje për zgjedhje të reja legjislative në Gjeorgji dhe për sanksione ndaj anëtarëve të lartë të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.


Në rezolutë thuhet se rezultati i zgjedhjeve nuk "shërben si përfaqësim i besueshëm i vullnetit të popullit gjeorgjian".


Gjithashtu, rezoluta i kërkon Bashkimit Evropian, i cili e ngriu aplikimin e Gjeorgjisë për anëtarësim muajin e kaluar, të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve kryesorë të partisë në pushtet, përfshirë Irakli Kobakhidze.


Gjeorgjia e mori statusin e kandidatit për BE në dhjetor 2023, por marrëdhëniet me Brukselin janë përkeqësuar muajt e fundit, sidomos pas miratimit të ligjit kontrovers për "agjentët e huaj," që kritikët thonë se synon t’i diskreditojë mijëra media dhe grupe të shoqërisë civile si "shërbyes të fuqive të huaja".


Në korrik, Shtetet e Bashkuara i pezulluan më shumë se 95 milionë dollarëve ndihmë për Qeverinë gjeorgjiane.