ru24.pro
World News
Ноябрь
2024

Ekipi i Trumpit thotë se të nominuarit për kabinet morën kërcënime me bombë

0
Një numër i të nominuarve dhe të emëruarve më të shquar për kabinetin e ardhshëm të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, kanë qenë në shënjestër të kërcënimeve me bombë dhe raportimeve të rrejshme, tha ekipi i tranzicionit i Trumpit të mërkurën.


Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) tha se është duke kryer hetime për këtë.


“Mbrëmë dhe sot në mëngjes, disa nga të nominuarit për kabinet dhe të emëruarit e administratës së presidentit Trump, u vunë në shënjestër të kërcënimeve të dhunshme dhe joamerikane për jetën e tyre dhe të atyre që jetojnë me ta”, tha zëdhënësja e ekipit të Trumpit, Karoline Leavitt.



Ajo tha se autoritetet e rendit dhe autoritetet e tjera “reaguan shpejt për të garantuar sigurinë e atyre që u kërcënuan. Presidenti Trump dhe i gjithë ekipi i tranzicionit janë mirënjohës për reagimin e tyre të shpejtë”, tha Leavitt.


Në mesin e atyre që u kërcënuan ishin përfaqësuesja e Nju Jorkut, Elise Stefanik, e cila është nominuar nga Trumpi për të shërbyer si ambasadore e ardhshme në Kombet e Bashkuara, Matt Gaetz, i nominuari fillestar i Trumpit për të shërbyer si prokuror i Përgjithshëm, dhe ish-kongresisti i Nju Jorkut, Lee Zeldin, i cili është përzgjedhur për ta drejtuar Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit.


Susie Wiles, shefja e ardhshme e stafit të Trumpit, dhe Pam Bondi, ish-prokurorja e Përgjithshme e Floridës, të cilën Trump e ka nominuar në vend të Gaetzit, i kërcënuan gjithashtu, sipas një zyrtari i cili foli në kushte anonimiteti.


FBI-ja tha në një komunikatë se është “në dijeni për kërcënimet e shumta me bomba dhe incidenteve të tjera ndaj të nominuarve dhe të emëruarve të administratës së ardhshme” dhe se po “punon me partnerët tanë të zbatimit të ligjit”.


“Ne i marrim seriozisht të gjitha kërcënimet e mundshme dhe, si gjithmonë, inkurajojmë anëtarët e publikut të raportojnë menjëherë tek autoritetet çdo gjë që konsiderojnë të dyshimtë”, tha ajo.