ru24.pro
World News
Декабрь
2018

James Mattis largohet nga posti

0
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do të pensionohet në fund të muajit shkurt, bëri të ditur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.


"Mattis ka qenë një ndihmë e madhe për mua në bindjen e aleatëve dhe të vendeve të tjera për të paguar pjesën e tyre të obligimeve ushtarake", shkroi Trump në Twitter.




Lajmi për largimin e Mattisit vjen në javën kur Trump njoftoi se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria.


Në letrën e tij të dorëheqjes, Mattis tha se i ka trajtuar aleatët me respekt dhe se ka përdorur "të gjitha mjetet e fuqisë amerikane për të siguruar mbrojtje të përbashkët".


"Meqë keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më të harmonizuara me të tuat mbi këto dhe subjekte të tjera, besoj se është e drejtë që unë të jap dorëheqje", shkroi gjenerali Mattis në letrën e tij.




Mattis, 69 vjeç, ka qenë një nga anëtarët më të respektuar të administratës Trump dhe ka gëzuar respekt edhe nga demokratët, edhe nga republikanët.


Disa, megjithatë, e kanë kritikuar kur nuk është ngritur kundër Trumpit për politikat që shumë në Kongres i kanë kundërshtuar.


Largimi i Mattisit, që ka gjasë të shqetësojë shumë kritikë të presidentit, është ikja e radhës e një zyrtari të lartë të administratës, ndërsa Trump është vetëm në gjysmë të mandatit të parë.


Përgatiti: Valona Tela