ru24.pro
World News in Albanian
Ноябрь
2024

Australia çon përpara ligjin që ua ndalon fëmijëve rrjetet sociale

0
Dhoma e Përfaqësuesve në Australi miratoi të mërkurën një projektligj që do të ndalonte fëmijët deri në moshën 16 vjeçare të përdorin rrjetet sociale. Tani, finalizimi i këtij ligji, të paprecedentë në botë, është në dorën e Senatit të Australisë.


Partitë kryesore mbështetën projektligjin që parasheh gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë për platformat si TikTok, Facebook, Snapchat, Reddit, X dhe Instagram, për dështime sistematike në parandalimin e hapjes së llogarive nga fëmijët.


Ligji u miratua me 102 vota pro dhe 13 kundër. Nëse projektligji bëhet ligj këtë javë, platformat do të kenë një vit kohë për t’i zbatuar kufizimet e moshës përpara se të fillojnë ndëshkimet.


Deputeti i opozitës, Dan Tehan, tha se Qeveria kishte rënë dakord të pranonte ndryshimet në Senat që do të përforcojnë mbrojtjen e privatësisë. Platformat nuk do të lejohen të detyrojnë përdoruesit të japin dokumente identifikimi të lëshuara nga qeveria, përfshirë pasaportat ose patentat, dhe as të kërkojnë identifikim dixhital përmes një sistemi qeveritar.


“A do të jetë e përkryer? Jo. Por, a është ndonjë ligj i përkryer? Jo, nuk është. Por, nëse ndihmon, edhe nëse ndihmon në mënyrën më të vogël, do të bëjë një ndryshim të madh në jetët e njerëzve”, tha Tehan në Parlament.




Projektligji u prezantua në Senat të mërkurën pasdite, por seanca u mbyll disa orë më vonë pa votim. Legjislacioni pritet të miratohet të enjten, gjatë sesionit të fundit të Parlamentit për këtë vit dhe ndoshta të fundit para zgjedhjeve, të cilat priten brenda pak muajsh.


Mbështetja nga partitë kryesore pothuajse garanton miratimin e legjislacionit në Senat, ku asnjë parti nuk ka shumicën e vendeve.


Deputetët që nuk ishin të lidhur me qeverinë ose opozitën ishin më kritikët ndaj projektligjit gjatë debatit të zhvilluar të martën dhe të mërkurën.


Kritikat përfshijnë argumentet se legjislacioni është nxituar në Parlament pa shqyrtim të mjaftueshëm, se ai nuk do të funksionojë dhe do të krijojë rreziqe për privatësinë e përdoruesve të të gjitha moshave, si dhe do të heqë autoritetin e prindërve për të vendosur se çfarë është më e mira për fëmijët e tyre.


Kritikët gjithashtu argumentojnë se ndalimi do t’i izolojë fëmijët, do t’i privojë ata nga aspektet pozitive të rrjeteve sociale, do t’i shtyjë drejt dark web-it, do t’i bëjë fëmijët shumë të rinj për rrjetet sociale të ngurrojnë të raportojnë dëmet e hasura.


Deputetja e pavarur, Zoe Daniel, tha se legjislacioni nuk do të “bëjë asnjë ndryshim në dëmet që janë të natyrshme në rrjetet sociale.”


“Objektivi i vërtetë i këtij legjislacioni nuk është ta bëjë rrjetin social të sigurt që në dizajn, por të bëjë që prindërit dhe votuesit të ndihen sikur qeveria po bën diçka për këtë çështje”, tha Daniel.


“Ka një arsye pse qeveria e reklamon këtë ligj si i pari në botë, sepse asnjë vend tjetër nuk dëshiron ta bëjë atë”, shtoi ajo.




Platformat kishin kërkuar që votimi të shtyhej të paktën deri në qershorin e vitit të ardhshëm, kur një raport i porositur nga qeveria për teknologjitë e verifikimit të moshës të bënte rekomandimet për mënyrën se si mund të zbatohej ndalimi.


Banori i Melburnit, Wayne Holdsworth, djali 17-vjeçar i të cilit, Mac, kreu vetëvrasje vitin e kaluar pasi ra viktimë e një skeme shantazhi seksual online, e përshkroi projektligjin si “absolutisht të domosdoshëm për sigurinë e fëmijëve tanë”.


“Nuk është e vetmja gjë që duhet të bëjmë për t’i mbrojtur ata, sepse edukimi është çelësi, por për të ofruar një mbështetje të menjëhershme për fëmijët dhe prindërit për ta menaxhuar këtë situatë, është një hap i madh”, tha të martën për Associated Press, 65-vjeçari, aktivist për sigurinë online.


“Dhe sipas mendimit tim, ky është momenti më i rëndësishëm në historinë e vendit tonë”, shtoi ai, duke iu referuar reformës ligjore në pritje.